Një muaj pasi Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet, ende nuk ka emëruar një zyrtar për komunikim me media.
Ndryshe, Kurti deri tash ka emëruar mbi 10 këshilltarë, por asnjëri prej tyre nuk është caktuar në pozitën për komunikim me media, duke e vështirësuar kështu komunikimin ndërmjet gazetarëve dhe Qeverisë së Kosovës.
Telegrafi ditë më parë ka shkruar rreth këtij problemi me të cilin po ballafaqohen sot gazetarët dhe mediat për të marrë informacione nga Qeveria e Kosovës,
Madje për këtë AGK ka rekomanduar emërimin e një zëdhënësi nga Qeveria, në mënyrë që të jenë sa më transparent jo vetëm ndaj gazetarëve, por edhe ndaj qytetarëve përgjithësisht.
Por, kjo deri më tash nuk ka ndodhur. Mirëpo, ndryshe prej zyrës së Kryeministrit, zëvendëskryeministri i parë, Avdullah Hoti ka vendosur që ta emëroi një këshilltare politike për media.
Në këtë pozitë ai ka emëruar Marigona Berisha, e cila sipas njoftimit për media të dërguar, do të synojë një bashkëpunim sa më të mirë dhe transparent me media.
“Me anë të këtij emaili dëshirojmë t’ju njoftojmë se Zëvendëskryeministri i parë Avdullah Hoti duke synuar për një bashkëpunim sa më të mirë dhe transparent me media, ka emëruar znj. Marigona Berisha këshilltare politike për media.
Andaj luteni që për të gjitha kërkesat e juaja të cilat i drejtohen z. Hoti, por edhe Kabinetit të tij, t`i drejtoni tek znj. Berisha”, thuhet në njoftimin për media. /Telegrafi/