Policia e Kosovës, për rajonin e Prishtinës, ka dhënë detaje lidhur me operacionin e sotëm për kapjen e të dyshuarve në vepra penale, me ç’rast janë arrestuar dy të dyshuar, kurse disa zyrtarë policorë kanë marrë lëndime gjatë ndjekjes së të dyshuarve me vetura.
Policia bën të ditur se në kuadër të masave taktiko-operative që policia e rajonit të Prishtinës po ndërmerr për kapjen e të dyshuarve, të implikuar në veprat penale si dhe goditjen e grupeve kriminale brenda rajonit të Prishtinës sot rreth orës 21:00, përderisa policët në rroba civile kanë provuar të ndalojnë një veturë të dyshuar me tre persona, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.
“Të njëjtit kanë shpërfillur urdhrat e policisë për tu ndalur, duke filluar ta godasin në vazhdimësi me veturën e tyre veturën e policisë në lëvizje dhe një nga ta i ka drejtuar armën policëve, të cilët në atë moment duke vlerësuar rrezikun e drejtpërdrejtë për jetën e tyre, kanë përdorur armën për të neutralizuar veprimet e rrezikshme të të dyshuarve, që atë moment kanë mund të jenë fatale për jetën e policëve”, thuhet në njoftimin e Policisë, raporton Telegrafi.
Ndërkohë, sipas Policisë, ka vazhduar ndjekja dhe është shtuar mbështetja policore dhe është bërë i mundur ndalimi i detyruar i veturës së dyshuar në Lagjen ‘Përroi i Njelmët’ në Prishtinë si dhe kapja dhe arrestimi i dy të dyshuarve të këtij rasti.
“I dyshuari i tretë ka arritur të ikë nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht është në arrati, porse i njëjti është identifikuar dhe është në kërkim policor. Ky i dyshuar, i njohur për policinë ka qenë edhe më herët në kërkim policor për raste të grabitjes dhe plagosjes, të ndodhura kohë më parë”.
Më tej thuhet se në veturën e të dyshuarve policia ka gjetur dhe sekuestruar, një revole të kalibrit 7.65 mm me gjashtë fishekë, një shufër metalike, një sasi substance që dyshohet të jetë marihuanë, si dhe disa telefona celularë.
Sipas njoftimit, oficerët policorë kanë marrë lëndime trupore përgjatë ndjekjes nga goditja e veturave, përderisa deri më tani nuk raportohet për të lënduar nga arma e zjarrit.
Operacioni për lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarit të tretë është duke vazhduar, përderisa të arrestuarit, konform rekomandimit të Prokurorit të Shtetit, do të procedohen më tej në procedurë hetimore, thuhet në njoftimin e Policisë. /Telegrafi/
Foto: Ilustrim