Telegrafi

Ndikimi i Rusisë në rajon, Mehaj: Të jemi të kujdesshëm ndaj ndikimeve keqdashëse të informacionit në rajonin tonë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka folur sot rreth ndikimit të Rusisë në rajon, ndërsa theksoi se mediat ruse të kontrolluara nga shteti bombardojnë audiencën me dezinformata në lidhje me gjoja “operacionin ushtarak special” të forcave ruse kundër Ukrainës.

Mehaj në një postim në Facebook shkruan se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e saj janë në nivelin maksimal të përgjegjësisë dhe detyrës për informimin e drejtë dhe në kohë për të gjitha çështjet me interes të përbashkët”.

Lexoni të plotë postimin e tij:

Fushata e Rusisë kundër së vërtetës është shtrirë për vite me radhë tek aleatët e Rusisë në mbarë botën, duke përfshirë edhe rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa shohim se këto përpjekje janë zgjeruar brenda Rusisë dhe Ukrainës, është përgjegjësia jonë që të jemi edhe më të kujdesshëm ndaj ndikimeve keqdashëse të informacionit në rajonin tonë.

Për këtë kërkohet nga të gjithë ne të jemi të kujdesshëm dhe vigjilentë se në cilat platforma dhe burime të informacionit publik dhe mediatik të orientohemi për zhvillimet e përgjithshme në botë, Evropë, si dhe rajonin dhe vendin tonë.

Ndërsa mediat ruse të kontrolluara nga shteti bombardojnë audiencën me dezinformata në lidhje me gjoja “operacionin ushtarak special” të forcave ruse kundër Ukrainës, regjimi i Putinit po intensifikon fushatën e tij agresive kundër mediave të pavarura për të parandaluar që e vërteta të arrijë tek publiku rus.

Kosova me krenari mbështet zërat e guximshëm ukrainas dhe rus të  së vërtetës, të cilët po rezistojnë në rrezik të madh për veten e tyre.

Ne jemi gjithashtu krenarë për vendimin tonë për të ofruar mbështetje të veçantë për gazetarët dhe refugjatët ukrainas në Kosovë.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e saj janë në nivelin maksimal të përgjegjësisë dhe detyrës për informimin e drejtë dhe në kohë për të gjitha çështjet me interes të përbashkët”. /Telegrafi/