Telegrafi

Ndihma e shtetit kroat pas tragjedisë, deputetja shqiptare e quan të udhës që kryeministri Plenkoviq të shpallet qytetar nderi i Kosovës

Pas tragjedisë që ndodhi të dielën në Kroaci ku humbën jetën dhjetë persona, qytetarë të shumtë por edhe udhëheqësit e institucioneve në Kosovë, kanë shprehur falënderime për shtetin kroat dhe qeverinë për ndihmën e dhënë shtetasve kosovarë në këtë rast.

Madje në shenjë falënderimi për ndihmën e dhënë nga Kroacia, është propozuar që kryeministri kroat Andrej Plenkoviq të shpallet qytetar nderi i Kosovës.

Deputetja shqiptare në parlamentin kroat, Ermina Lekaj- Prljaskaj në një intervistë për Telegrafi.com ka thënë se i bashkohet kësaj kërkese.

“Në mediat e Kosovës e kam parë shpesh që po kërkohet që kryetari i qeverisë kroate të shpallet qytetar nderi i Kosovës, dhe unë i bashkëngjitëm kësaj dhe mendoj së është e udhës që ai të shpallet qytetar i nderit”, ka thënë Lekaj-Prljaskaj.

Ajo më tej shtoi se në këtë moment tragjik që ndodhi, përveç komunitetit shqiptar që kanë shpreh gatishmërinë të ofrojnë ndihmë gatishmëri të tillë kanë shpreh edhe qytetarët kroat. /Telegrafi/