Java e 22-të në Ipko Superligën e Kosovës do të startojë ditën e sotme (e shtunë) me dy ndeshje mjaftë interesante.
Kampionati po shkon drejt fundit dhe secila ndeshje po bëhet më interesante se tjetra, duke pasur parasysh se thuajse gjitha skuadrat kanë ende objektiva.
Llapi do të jetë nikoqir i Trepçës ’89, në një takim ku djelmoshat e Xhengiz Rexhepit kërkojnë fitore për të vazhduar luftën për titullin e kampionit.
Në anën tjetër pas humbjes në mesjavë nga Liria, 89-shi udhëton drejt Podujevës për të marrë pikë pasi nuk është e qetë.
Ditën e sotme në stadiumin e qytetit në Gjilan, Drita do të luaj përballë Ferizajt.
Kampioni në fuqi i Kosovës është distancuar paska nga skuadrat e tjera por ende nuk e ka shmangur ikjen nga barazhi.
Ndërkohë Ferizaj nuk udhëton e dorëzuar drejt Gjilanit, pasi çdo pikë për ta është e mirëseardhur.
Të dyja takimet e ditës së sotme do të transmetohen në platformën më atraktive në vend, në IPKO dhe kanalet Super Sport Kosova.
Për ditën e diel janë në program të zhvillohen edhe katër ndeshje të tjera, ku tri prej tyre do të transmetohen në platformën Ipko dhe në Super Sport Kosova.
Lideri aktual i IPKO Superligës, Feronikeli do të ketë punë të vështirë në Drenas pasi pret skuadrën e papërshtatshme Gjilanin.
Konkurrenti tjetër për titullin e kampionit, Prishtina do të jetë mysafire e skuadrës së fundit në tabelë KEK-ut, ndërsa Liria pret Drenicën.
Ndeshja e fundit e kësaj jave do të zhvillohet mes Flamurtarit dhe Ballkanit të dielën me fillim nga ora 17:00 në stadiumin Fadil Vokrri. /Telegrafi/
IPKO Superliga e Kosovës – Java e 22-të
13:30 Llapi – Trepça ’89 SSK1
13:30 Drita – Ferizaj SSK2
E diel
13:30 Liria – Drenica
13:30 Feronikeli – Gjilani SSK2
13:30 KEK-u – Prishtina SSK3
17:00 Flamurtari – Ballkani SSK2