Në ndeshjen e të dielës kundër Eibarit në stadiumin Di Stefano, Zinedine Zidane do ta drejtojë Real Madridin për herë të 200-të si trajner.
Legjenda franceze e mori drejtimin e Los Blancos për herë të parë në janar të vitit 2016 dhe e nisi me një fitore bindëse ndaj Deportivo La Corunas në La Liga me rezultat 5-0.
Statistikat e Zidane si trajner i Real Madridit
Që atëherë, si trajner i Mbretërve, ai ka regjistruar 134 ndeshje në kampionatin spanjoll, 40 në Ligën e Kampionëve, 15 në Kupën e Mbretit, katër në Kupën e Botës për klube, katër në Superkupën e Spanjës dhe dy në Kupën Evropiane.
Nga këto sfida, statistikat e Zidane janë kësisoj: 131 fitore (65.8%), 42 barazime (21.1%) dhe 26 humbje (13.1%). Sa u përket humbjeve, 17 kanë ndodhur në La Liga (tri vetëm nga Real Betisi), gjashtë në Ligën e Kampionëve dhe tri në Kupën e Mbretit (të tria në Santiago Bernabeu, nga Leganes, Celta Vigo dhe Real Sociedad).
Nën drejtimin e legjendës, Reali ka shënuar 486 gola (2.44 për ndeshje) dhe ka pranuar 209 gola (1.05 për ndeshje).
I pamposhtur në tri kompeticione
Madridi i Zidane është i pamposhtur në Kupën e Botës për Klube (katër ndeshje, katër fitore), në Superkupën e Spanjës (tri fitore dhe një barazim) dhe Superkupat Evropiane (dy ndeshje, dy fitore).
Zidane – Munoz – Del Bosque
Rekordi i Zidane përkon me vetëm dy trajnerë të mëparshëm të Realit që kanë drejtuar më shumë se 200 ndeshje: Miguel Munoz i ka drejtuar mbretërit në 605 sfida dhe i ka fituar 357 (59%), Vicente del Bosque i ka drejtuar Los Blancos në 246 takime duke i fituar 133 prej tyre (54%).
Në 199 ndeshjet e para, rekordi i humbjeve ishte kështu: Zidane, 26; Munoz, 33; dhe Del Bosque, 48. Rekordin më të mirë të fitoreve në 199 takimet e para e ka pasur Munoz, me 144 fitore (72.4%).
Trajnerët e mëdhenj të Real Madridit
Krahas Luis Molowny (tetë tituj), Zidane, Munoz dhe Del Bosque, janë trajnerët më të rëndësishëm të Real Madridit. Që të tre e kanë marrë drejtimin e skuadrës kur klubi ka pasur nevojë për ta dhe që të tre kanë ardhur në periudha të vështira dhe kanë rezultuar me fitore të titujve.
Zidane, për shembull, e mori drejtimin e ekipit fillimisht nga Benitez në vitin 2016 dhe pastaj nga Solari në vitin 2019, dhe ka arritur t’i fitojë 10 tituj që e bëjnë atë trajnerin më të suksesshëm të Realit në 199 takimet e para.
Dhjetë trofetë e mëdha të Zidane si trajner i Realit
La Liga: 1 (2016/2017)
Superkupa e Spanjës: 2 (2017, 2019–20)
Liga e Kampionëve: 3 (2015/2016, 2016/2017, 2017/2018)
Superkupa e UEFA-s: 2 (2016, 2017)
Kupa e Botës për Klube: 2 (2016, 2017)
/Telegrafi/