Telegrafi

Ndërtimi i gazsjellësit, Haradinaj: Kurti po i thotë projektit amerikan është projekt rus

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka hedhur kritika ndaj Qeverisë Kurti lidhur me atë që sipas tij është refuzim i ndërtimit të gazsjellësit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Haradinaj gjatë seancë plenare të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se kryeministri Kurti këtë projekt po e quan si projekt rus.

“Kurti po i thotë projektit amerikan, projekt rus. Mbi të gjitha më shqetësues është njollosja e projektit të Amerikës. Kurti përmes zëvendëskryeministrit i parapriu refuzimit të projektit të gazit si projekt rus”, ka thënë Haradinaj, përcjell Telegrafi.

Sipas tij, ky refuzim është shqetësues dhe e ka lëkundur miqësinë e Kosovës me SHBA-në.

Lexo po ashtu Gazi nga Greqia i përkrahur nga Shtetet e Bashkuara – reagimet dhe gjithçka çka dihet për tubacionin

“Ky qëndrim dhe refuzim është shqëtësues dhe si kurrë më parë e lëkundi miqësinë tonë me Amerikën. Lëkundje që do të ketë pasoja për vendin, prandaj thirrja për dorëheqje të kësaj Qeverie është legjitime dhe njëkohësisht para dorëheqjes ta kthej vendimin për gazin”, është shprehur ai.

Ditë më parë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar se Kosova nuk do të vazhdojë përpara me projektin për ndërtim të infrastrukturës së gazit, të financuar nga MCC-ja. Sipas Rizvanollit, kjo ministri është në bashkëpunim me këtë agjenci amerikane, për të vendosur për shfrytëzimin e kompaktin për investime me risk më të ulët.

SHBA-ja në buxhetin e ri të propozuar nga presidenti Joe Biden kishte marr vendim që t’i ndaj Kosovës rreth 200 milionë euro në kuadër të MCC-së. Në këtë fond, njëri nga projektet është ndërtimi i sektorit energjetik, përkatësisht ndërtimi i infrastrukturës së gazit. /Telegrafi/