Site icon Telegrafi

Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, ndërtesa e Qeverisë ndriçohet rozë

Tetori, i njohur si muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit në të gjithë botën, është shënuar edhe në Kosovë.

Si pjesë e këtij angazhimi global, ndërtesa e Qeverisë së Kosovës u ndriçua rozë, duke simbolizuar mbështetjen për të gjitha gratë që luftojnë me këtë sëmundje.

Kryeministri Albin Kurti, përmes një postimi, theksoi rëndësinë e këtij muaji për rritjen e vetëdijes dhe vëmendjes ndaj zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit.

“Për tetorin rozë, për rritjen e vëmendjes dhe vetëdijes për zbulimin sa më të hershëm të kancerit të gjirit, sonte ndriçuam godinën e Qeverisë,” u shpreh Kurti.

Një nga masat më të rëndësishme parandaluese është shërbimi falas i mamografisë, i cili është i disponueshëm për të gjithë qytetarët e Republikës.

Vlen të përmendet se për herë të parë vitin e kaluar, qeveria zgjeroi qasjen në këto shërbime edhe në komunat veriore të vendit, ku për vetëm tri ditë u realizuan 180 ekzaminime.

Investimet në Klinikën e Onkologjisë kanë përfshirë blerjen e dy akseleratorëve të rinj dhe sistemin më të avancuar C-RAD, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e trajtimit.

Për herë të parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gratë që kanë mposhtur kancerin e gjirit mund të përfitojnë falas nga shërbimi i rikonstruktimit të gjirit.

“Përkushtimi ynë është i përditshëm, që të sigurojmë qasje sa më të lehtë dhe të barabartë në shërbimet shëndetësore, për zbulimin e hershëm dhe trajtimin e kancerit të gjirit,” theksoi kryeministri Kurti, duke shtuar se lufta kundër kancerit të gjirit është një betejë e përbashkët dhe se “kancerin e gjirit e mposhtim së bashku”./Telegrafi/

Exit mobile version