Këngëtarja kosovare Rita Ora, duket të jetë lodhur nga trajtimi që po i bëhet në kompaninë e Jay Z, “Roc Nation” dhe kështu ka vendosur që ta ndërprejë bashkëpunimin me të, transmeton Gazeta Express
Rita Ora, e cila është përfolur për një lidhje me reperin e njohur amerikan, Jay Z, ka vendosur ta padisë kompaninë e tij, për trajtim “shtypës”.
Sipas dokumenteve të Gjykatës Supreme të Kalifornisë, Rita ka kërkuar që të lirohet nga kontrata shtatë-vjeçare me kompaninë, duke thënë se kjo kompani kishte tendenca ta ngadalësonte karrierën e saj.
Avokatët e Ritës kanë potencuar se kompania Roc Nation ka përdorur nenet e kontratës për t’i ndalur përpjekjet për rritjen e karrierës së Rita Orës, deri në pikën ku ajo është lejuar ta lansojë vetëm një album për shtatë vjet, duke mos marrë fare parasysh faktin që ajo ka plot incizime të cilat do të donte t’i lëshojë.
Rita, tani, përveç ndërprerjes së kontratës do të kërkojë edhe një shumë të cilën ende nuk e ka specifikuar, si dëmshpërmblim.
Ndryshe, artistë të tjerë që janë pjesë e Roc Nation, janë edhe Rihanna, Kanye West, Shakira dhe Will Smith.
Pas Rita kishte nënshkruar kontratën shtatë-vjeçare me këtë kompani, pati shumë thashetheme që ajo kishte aferë me shefin e saj të martuar – burrin e Beyonce’s.