Site icon Telegrafi

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Gjakovë ndihmohen me 80 mijë euro

Kryetarja e Komunës së Gjakovës së bashku me përfaqësues të organizatës gjermane “Help” kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të sektorit privat, me pajisje që arrijnë vlerën 80 mijë euro.

Gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshje, kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, tha se ky program do të zgjasë dy vjet, për të ndihmuar përmirësimin e gjendjes sociale dhe ekonomike në Komunën e Gjakovës.

Ajo gjithashtu shtoi se ky program është në përputhje të plotë me planet e Kuvendit Komunal të Gjakovës, duke theksuar se kjo komunë ka participuar me 16 mijë euro, për këtë program.

Kusari – Lila, bëri të ditur se tani asistenca financiare për bizneset për Komunën e Gjakovës, nga 90 mijë euro që ishte në vitin e kaluar, bashkë me ndihmën e organizatës “Help”, arrin shumën 170 mijë euro.

Ndërsa, përfaqësuesja e organizatës gjermane “Help”, Shqipe Breznica tha se nga kjo marrëveshje që hyn në fuqi që nga sot, do të përfitojnë 40 qytetarë të Gjakovës.

Ajo shtoi se financimi nga ana e klientëve apo përfituesve është 15 për qind, ku përveç grantit, pajisjeve që ata marrin nga organizata “Help”, gjithashtu do të marrin edhe trajnime në bazë të kërkesave të tyre.

Exit mobile version