Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të reaguar pas triumfit të Distria Krasniqi, e cila fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.
Distria Krasniqi ka bërë krenare gjithë Kosovën, pasi ka arritur të triumfojë në kategorinë deri në 48 kilogramë.
Xhudistja pejane fitoi katër ndeshje gjatë ditës së sotme për të fituar medaljen e artë dhe ndihet krenar me arritjen e saj.
Ky triumfi i Distrias e ka bërë të lumtur presidenten e vendit, Vjosa Osmanin, e cila ka reaguar në profilin e saj privat në Facebook.
Postimi pa ndërhyrje i Vjosa Osmanit
Distria i solli Republikës sonë medaljen e dytë të artë olimpike. Nder e krenari e lumturi e papërshkrueshme.
Ajo e ngriti sot flamurin e shtetit të saj në piedestalin më të lartë. Me suksesin e saj olimpik ajo nderoi një komb të tërë, si dhe e gëzoi fort çdo zemër në Kosovë por edhe shumë të tjera anë e mbanë botës.
Distria, e para e botës, dëshmoi sot sërish se është e pamposhtur dhe se është krenaria e vendit tonë. Ajo dëshmoi që talenti dhe puna triumfojnë gjithnjë.
Sot, nëpërmjet Distrias, Kosova shkëlqeu para tërë botës.
Sot dhe përherë, Kosova do të krenohet me ty. Bravo!
/Telegrafi/