Vite më parë, rap-grupi i njohur Etno Engjujt, Lyrical Son dhe Dj Blunt kanë publikuar këngën “Albanian”.
Një këngë me motive patriotike, në klipin e së cilës promovoheshin fytyrat më të mëdha të kombit shqiptar, u bë hit i asaj kohe, dhe sot e kësaj dite kujtohet si një ndër këngët më të suksesshme të reperëve në fjalë.
Një këngë e tillë është dëgjuar në të gjitha trojet shqiptare, dhe vazhdon të dëgjohet, mirëpo shteti i malit të Zi, së fundmi nuk e ka miratuar transmetimin e një projekti të tillë në televizionet atje.
Agjencia për mediat elektronike e Malit të Zi u ka shqiptuar vërejtje televizioneve “Boin” dhe “Teuta” për shkak të transmetimit të dy klipeve muzikore shqiptare me rastin e festës 28 nëntorit – Ditës së Flamurit.
Njëra nga këngët përkatësisht ishte “Albanian” e reperëve në fjalë, gjë për të cilën këta të fundit sa e dëgjuan filluan me njëherë me reagime në rrjetet sociale.
Ka qenë pikërisht reperi shqiptar nga Mali i Zi, Genc Prelvukaj, i cili në InstaStory ka shkruar: “Pas shume paralajmërimeve si duket shteti i Malit të Zi e paska urdhëruar ndalimin e transmetimit te këngës Albanian”, ndërsa Lyrical Son po ashtu ka publikuar lajmin duke thënë se “ #Albanian, ju s’mund të ndaloni”.
Ndërkohë, kënga në fjalë aktualisht vazhdon të jetë e ndaluar për televizionet malazeze që të transmetohet. /Telegrafi/