Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka ndarë shpërblimet shtetërore për xhudistet Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova dhe për trajnerin Driton Kuka, pas rezultateve të arritura në Kampionatin Evropian të Xhudos që u mbajt në muajin prill në Poloni, në një vlerë të përgjithshme prej 42 mijë euro.
Në bazë të rregullores për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulminante në garat ndërkombëtare, ministri Shala, i ndau shpërblimin prej 20.000 euro xhudistes Majlinda Kelmendi, e cila fitoi medaljen e artë në këtë kampionat në kategorinë deri në 52 kg.
Xhudistes Nora Gjakova i takoi shpërblimi në vlere prej 8.000 euro, për fitoren e medaljes së bronztë në kategorinë deri në 57 kg.
Ndërkaq, trajneri Driton Kuka mori shpërblimin 10.000 euro si trajner i Majlinda Kelmendit dhe 4.000 euro si trajner i xhudistes Gjakova.
Ministri Kujtim Shala u shpreh se shpërblimet që ndan MKRS-ja për sportistët që arrijnë rezultate përpos që janë një lloj mirënjohje për ta, bëhen me motivacionin e nxitjes së të rinjve të merren edhe më shumë me sport dhe të korrin rezultate sa më të mëdha, njëherësh duke na përfaqësuar dhe ngritur emrin dhe imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“E kam thënë edhe herë tjera, suksesi i xhudisteve tona, nuk është sukses vetëm në fushën e sportit, por është edhe sukses i shtetit tonë, dhe për këtë i jemi falënderues angazhimit dhe rezultatit të xhudisteve dhe punës së trajnerëve të tyre”, ka thënë ministri, bëhet e ditur në kumtesën e Ministrisë.
Ndërkaq, xhudistja Majlinda Kelmendi shprehu falënderimin për shpërblimin dhe tha se do të angazhohet që Kosovës t’i sjellë edhe medalje të tjera. “Tani, bashkë me ekipin jemi të fokusuar për olimpiadën e Tokios, që edhe atje të korrim suksese edhe më të mëdha dhe të sjellim medalje edhe më shumë”, ka deklaruar ajo.
Nora Gjakova, tregoi se ndjehet e gëzuar që ka arritur të kthehet me medalje nga Kampionati Evropian pas lëndimit që ka pasur. Gjakova theksoi se “Do të angazhohem maksimalisht, jam duke u përgatitur dhe do të përpiqem që të kthehem me medalje nga olimpiada”.
Kurse trajneri Kuka e falënderoi ministrin Shala dhe punën që po bën MKRS-ja në fushën e sportit. Ai përmendi mënyrën e financimit përmes memorandumeve si shumë pozitive dhe lehtësuese për punën e federatave, si dhe në përmirësimin e infrastrukturës ligjore që rregullon sportin. /Telegrafi/