Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e ushtruar nga ana e Policisë së Kosovës, në rastin ku kjo e fundit kishte kërkuar anulimin e aktgjykimit të shkallës së parë me të cilin ishte aprovuar padia e ish-shefit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti.
Kësisoj, Apeli e ka lënë në fuqi vendimin e Gjykata Themelores në Prishtinë të marrë më 25 mars 2019, me të cilin ishte anuluar vendimi për risistemimin e Sahitit nga ana e Policisë së Kosovës.
Sahiti, përmes padisë së ushtruar më 7 dhjetor 2018, kishte kërkuar nga gjykata anulimin e vendimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, me të cilin ai ishte larguar nga pozita e drejtorit të Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës.
Duke aprovuar padinë e Sahitit, Gjykata Themelore në Prishtinë, e kishte anuluar vendimin e Policisë së Kosovës për sistemimin e Sahitit nga pozita e Drejtorit të Krimeve Ekonomike në Zyrtarë për Kontroll të Kualitetit në Departamentin për Kufij. Themelorja e kishte obliguar Policinë e Kosovës që Sahitin ta kthej në pozitën e mëparshme.
Gjithashtu, Themelorja e kishte obliguar të paditurën që Sahitit t’ia paguajë diferencën e pagës dhe të gjitha benefitet tjera ligjore në shumë prej 761.80 euro.
Kundër aktgjykimit të Themelores, ankesë në Apel kishte ushtruar Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës e cila i kishte propozuar Apelit që lëndën ta kthej në rivendosje apo që të merr vendim me të cilin do ta refuzonte në tërësi padinë e Sahitit.
Duke vendosur lidhur me këtë ankesë, kolegji i Apelit në përbërje nga gjyqtarët, Enes Mehmeti, Frosina Sylejmani dhe Nehat Idrizi, kanë vendosur që të refuzojnë ankesën kurse aktgjykimin e Themelores ta vërtetojnë.
Sipas Apelit, vlerësimi dhe qëndrimi juridik i gjykatës së shkallës së parë lidhur me këtë çështje është i drejtë dhe i ligjshëm pasi aktgjykimi nuk është i përfshirë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore.
Po ashtu, sipas Apelit edhe e drejta materiale në këtë rast është zbatuar në mënyrë të drejtë.
“Përkitazi me pretendimet e ankuesit për shkelje, për shkak të konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë e ka vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë gjendjen faktike, duke i provuar kështu të gjitha faktet vendimtare të çështjes me çka krijuar një figurë të qartë të gjendjes faktike nga e cila pastaj në përputhje me normat e të drejtës materiale ka nxjerrë përfundimin e themelësinë e kërkesëpadisë” – thuhet në vendimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas Apelit, aktgjykimi i atakuar është në korrelacion me përcaktimet rregullative të parapara me Udhëzimin Administrativ të Policisë së Kosovës, me numër 04/2017.
Në vendimin e gjykatës së shkallës së dytë thuhet se me rastin e risistemimit në punë të Sahitit kishte pasur tejkalim të së drejtës diskrecionale të eprorit të Sahitit, pasi sipas Apelit, veprimi i tillë nuk është ndërmarrë në frymën e rregullativës që ka paraparë UA 04/2017, për marrëdhënien të punës në Policinë e Kosovës, ngase në raste të tillë duhet të plotësojnë apo ekzistojnë kushte për të mundësuar risisteminin e të punësuarve.
Gjithashtu, Apeli ka refuzuar si të pabazuar edhe ankesën për sa i përket të detyrimeve financiare ndaj Sahitit.
Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 7 dhjetor 2018, paditësi Nazim Sahiti, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që ta anulojë vendimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, me të cilin ai ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës.
Sipas padisë, paditësi në vitin 2017, fillimisht ishte emëruar ushtrues i detyrës në pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, e disa muaj më vonë ishte graduar edhe me gradën Major, ndërsa në maj të vitit 2018, ishte emëruar në pozitën e drejtori i Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Por, sipas pretendimeve në padi, përkundër vlerësimit pozitiv të përformancës dhe arritjes së objektivave të punës si drejtor, paditësi pa pëlqimin e tij, u shkarkua nga pozita e drejtorit me vendimin e 17 tetorit 2018.
Sipas padisë, i pakënaqur me këtë vendim, paditësi kishte ushtruar ankesë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, në Komisionin për Ankesa, por që sipas padisë, Komisioni për Ankesa kishte marr një vendim në të cilin nuk kishte adresuar fare pretendimet e ngritura në ankesë.
Andaj, paditësi i bindur se vendimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë është i padrejtë, i kundërligjshëm dhe i bërë për motive të hakmarrjes personale, kishte kërkuar nga Gjykata anulimin e vendimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, dhe të obligohet e paditura që paditësin ta kthejë në pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit si dhe t’i bëjë kompensimin e diferencës së pagës.