Telegrafi

NATO zyrtarisht fton Finlandën dhe Suedinë të jenë anëtare të Aleancës Veri-Atlantike

NATO edhe zyrtarisht e ka ftuar Suedinë dhe Finlandën që t’i bashkohet Aleancës Veri-Atlantike, thuhet në kumtesën e lëshuar nga zyra e Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.

“Sot kemi vendosur ta ftojmë Finlandën dhe Suedinë të jenë anëtare të NATO-s, dhe u pajtuam të nënshkruajmë protokollin e anëtarësimit”, thuhet ndër tjera në kumtesë, transmeton Telegrafi.

Disa orë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, tha se pas ftesës zyrtare duhet ratifikuar procesi në 30 parlamente, që sipas tij zakonisht kërkon kohë, por se ai shpresonte se kjo do të kryhet më shpejtë se zakonisht.

Lexo po ashtu NATO pret që Finlanda e Suedia t’i bashkohen shpejtë Aleancës Veri-Atlantike

Në anën tjetër mbrëmë Turqia hoqi bllokadën ndaj dy shteteve nordike, duke i hapur rrugë anëtarësimit të tyre në NATO.

Kjo u bë e ditur gjatë Samitit të NATO-s që po mbahet në Madrid të Spanjës, ku ministrat e Jashtëm të tre vendeve nënshkruan memorandumin për bashkëpunim.

E ky veprim i Turqisë u mirëprit nga liderët botërorë në veçanti nga ata perëndimorë, ku Joe Biden dhe Boris Johnson u shprehën të bindur se NATO-ja do të ketë dy anëtarë të rinj. /Telegrafi/