Site icon Telegrafi

NATO nënshkruan kontratë 1.1 miliard euro për municion artilerie 155 mm – disa prej tyre do t’i jepen Ukrainës

NATO nënshkroi të martën një kontratë 1.1 miliard euro (1.2 miliard dollarë) për qindra mijëra predha artilerie 155 mm, disa prej të cilave do t’i jepen Ukrainës pasi Kievi u ankua për mungesë municioni.

“Lufta në Ukrainë është kthyer në një betejë municionesh”, u tha gazetarëve Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas një ceremonie nënshkrimi në selinë e aleancës ushtarake perëndimore në Bruksel, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ndërkohë, ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov tha javën e kaluar se mungesa e municioneve, të cilat ai e përshkroi si “uri për predha”, ishte një problem i madh për trupat e Kievit gati dy vjet pas fillimit të agresionit të plotë të Rusisë.

Siç bëhet e ditur më tej, Agjencia e NATO-s për Mbështetjen dhe Prokurimin (NSPA) e arriti marrëveshjen në emër të disa aleatëve, të cilët ose do t’ia kalojnë predhat Ukrainës ose do t’i përdorin ato për të furnizuar inventarin e tyre të varfëruar.

Një zyrtar i NATO-s i identifikoi blerësit si Belgjika, Lituania dhe Spanja, të cilat u bashkuan për të përfituar nga çmimet më të ulëta të siguruara nga blerja me shumicë.

Kontrata ka të ngjarë të jetë për rreth 220,000 predha artilerie, me dërgesat e para që priten në fund të vitit 2025.

Furnizimi me këto predha do të bëhet nga prodhuesi francez i armëve Nexter dhe Junghans i Gjermanisë, sipas një burimi të industrisë.

Që kur NATO filloi një program për të adresuar mungesat në rezervat ushtarake të aleatëve korrikun e kaluar, NSPA ka rënë dakord për marrëveshje me vlerë rreth 10 miliardë dollarë (9.19 miliardë euro), tha Stoltenberg.

Kjo përfshinte predha artilerie dhe tankesh, si dhe raketa të mbrojtjes ajrore Patriot.

Në një takim në shkurt, ministrat e mbrojtjes të NATO-s do të diskutojnë mënyra të tjera për të rritur prodhimin industrial, të cilat shefi i NATO-s i përshkroi si absolutisht të nevojshme për të mundësuar mbështetjen e vazhdueshme perëndimore për Kievin. /Telegrafi/

Exit mobile version