Aleanca Veri-Atlantike ka konfirmuar sot se ka autorizuar forca shtesë në Kosovë për shkak të zhvillimeve të fundit në veri të vendit.
Në njoftimin për media thuhet se KFOR-i do të ndërmarr veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
“Që nga maji, ne kemi rrit praninë e KFOR-it. Vetëm dje Këshilli i Atlantikut të Veriut autorizoi forca shtesë për të adresuar situatën aktuale”, thuhet në deklaratë.
Më tej, thuhet se KFOR-i vazhdon të koordinohet ngushtë me të gjitha palët, në Beograd, në Prishtinë, si dhe me Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-në, Misionin e OKB-së në Kosovë dhe komunitetin diplomatik.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht të de-përshkallëzojnë. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”, thuhet ndër të tjera në deklaratë. /Telegrafi/