Vendet anëtare të NATO-s duhet të përdorin mbrojtjen ajrore në Evropën Lindore për të rrëzuar raketat dhe dronët rusë që synojnë Ukrainën, tha ish-shefi i NATO-s.
Anders Fogh Rasmussen, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s midis viteve 2009-2014, tha se raketat nga vendet fqinje të NATO-s si Polonia dhe Rumania do mund të zmbrapsnin sulmet ajrore ruse drejt Ukrainës.
Siç raportohet, disa vende anëtare të aleancës si SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca, kanë vendosur aeroplanë luftarakë për të përforcuar mbrojtjen ajrore të Izraelit të rrëzojë dronët dhe raketat iraniane.
Andaj, sipas Rasmussen, aleanca ushtarake mund ta bëjë “saktësisht të njëjtën gjë” për të ndihmuar Ukrainën, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.
Ai shkoi më tej duke sugjeruar se sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s mund të lidhen me ato të Ukrainës.
Ish-sekretari shtoi se kjo përpjekje do ta mbronte Ukrainën, industrinë e saj të mbrojtjes, si dhe do të shmangte dërgimin e trupave të NATO-s në territoret ukrainase.
Ndryshe, deri më tani shumica e anëtarëve të aleancës e kanë kundërshtuar dërgimin e trupave në Ukrainë dhe shënjestrimin e sulmeve ajrore ruse nga territori i tyre.
Në vend të kësaj, aleatët e Ukrainës i kanë dërguar asaj gati 118 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, duke përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore ATACMS.
Madje, Pentagoni është deklaruar se “do të nxitojë” në dërgimin e sistemit raketor Patriot në Ukrainë, si pjesë e paketës së fundit ushtarake.
E ndërsa disa vende po dërgojnë municion në Ukrainë, të tjera po refuzojnë duke thënë se u duhen për të mbrojtur hapësirën e tyre ajrore. /Telegrafi/