Telegrafi

Natë për t’u harruar për Ronaldon – humb në Ligën e Kampionëve, rrëzohet duke dribluar dhe provokohet me thirrjet ‘Messi-Messi’

Ylli portugez, Cristiano Ronaldo u rikthye te skuadra e Al-Nassr pasi vuajti pezullimin dhe luajti në humbjen ndaj Al-Ain në Ligën e Kampionëve të Azisë.

Al-Nassr humbi 1:0 si mysafir në Emiratet e Bashkuara Arabe në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve të Azisë.

Tifozët e vendasve u përpoqën të provokonin Ronaldon dhe i brohorisnin “Messi” gjatë gjithë ndeshjes, por portugezi mori mësimin e tij, qëndroi “cool” dhe nuk ra në provokime.

Cristiano bëri pesë goditje në portën e kundërshtarit, por nuk u regjistrua në mesin e golashënuesve.

Por, 39-vjeçari portugez përfundoi si viral në rrjetet sociale nga një tentativë për driblim.

Në një moment, Ronaldo provoi disa driblime dhe humbi plotësisht ndjenjën se ku ishte topi, para se kundërshtarët t’ia heqin atë dhe të rrëzohet.

Ndryshe, klubi nga Emiratet e Bashkuara Arabe ka festuar me golin e Soufiane Rahimit në minutën e 44-të dhe skuadra saudite do të mundohet ta kompensojë atë deficit në ndeshjen e kthimit javën e ardhshme. /Telegrafi/