Mauro Icardi po kalon nëpër një periudhë të vështirë te Interi, pasi e ardhmja e tij është ende e paqartë.
Sulmuesi argjentinas shkaktoi tollovi të madhe në sezonin e kaluar te skuadra italiane, duke mos luajtur për një muaj.
Nerazzurët po refuzojnë që ta shesin sulmuesin 26-vjeçar që ka zgjuar interesimin e Napolit dhe Juventusit në këtë afat kalimtar.
Sipas asaj që raporton Tuttosport, presidenti i napolitanëve, Aurelio De Laurentiis, është takuar me gruan dhe agjenten e argjentinasit, Wanda Nara.
Mediumi italian bën të ditur se Napoli po i ofron Icardit një pagë rreth dhjetë milionë euro në sezon vetëm që të transferohet në San Paolo.
Ditë më parë u raportua se Carlo Ancelotti e ka telefonuar argjentinasin për ta bindur që të kalojë te skuadra e tij. /Telegrafi/