Napoli është finalisti i dytë i Kupës së Italisë, pasi ka arritur ta eliminojë Interin në ndeshjen e dytë gjysmëfinale që u zhvillua në San Paolo.
Partenopei kishin fituar me rezultat 1-0 në Giuseppe Meazza dhe duke qenë se ndeshja e kthimit përfundoi baras (1-1), ata e sfidojnë Juventusin në finale.
Rezultati u zhbllokua që në minutën e dytë të takimit, kur Christian Eriksen shënoi drejtpërdrejt nga goditja nga këndi.
Romelu Lukaku dhe Antonio Candreva patën rastet për ta dyfishuar epërsinë, mirëpo David Ospina ishte në vend për të reaguar.
Një aksion i nisur shpejt nga portieri vendas e gjeti Lorenzo Insignen, i cili dërgoi një asistim te Dries Mertens që u tregua i saktë (41’) për ta barazuar rezultatin.
Në minutat e para të gjysmës së dytë, Insigne pati një mundësi të mirë që nuk e konkretizoi. Nga ana tjetër, Eriksen rrezikoi një herë nga gjuajtja e lirë dhe pastaj nga një aksion, por Ospina ishte i pakalueshëm.
Dhe meqenëse takimi u mbyll me rezultat të barabartë (1-1), napolitanët u kualifikuan në finale falë fitores në ndeshjen e parë kundër Nerazzurrëve.
Finalja e Kupës së Italisë ndërmjet Juventusit dhe Napolit do të zhvillohet më 17 qershor në Stadio Olimpico të Romës. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=Ltwpy_ykSXg
https://www.youtube.com/watch?v=dj3mJPGQncc