Napoli dhe Interi i janë bashkuar garës për të nënshkruar me mesfushorin e Real Madridit, Isco.
Isco ka qenë prej kohësh i lidhur me një largim nga Bernabeu pasi po has në vështirësi për të gjetur vend në skemat e Santiago Solarit.
Kjo situatë e tij ka bërë që shumë klube të mëdha evropiane të shprehin interesim për mesfushorin kreativ spanjoll.
Klubi i madh italian Juventusi është njëra nga skuadrat që e pëlqen më shumë lojtarin, por tani do të kenë konkurrencë nga rivalët italianë.
Sipas mediumit Corriere della Sera, Napoli dhe Interi i janë bashkuar garës për transferimin e Iscos.
Gazeta shpjegon se ai mund të përfshihet në një marrëveshje shkëmbimi me Mauro Icardin, derisa për tek Juventusi do të donin Alex Sandron në shkëmbim.
Megjithatë, edhe trajneri i Napolit, Carlo Ancelotti është i etur për t’u ribashkuar me ish-lojtarin e tij dhe kjo mund të ndikoj në këtë sagë.
26-vjeçari spanjoll nuk luajti asnjë minutë në humbjen 3-0 në El Clasico të Real Madridit ndaj Barcelonës në gjysmëfinale të Copa del Rey të mërkurën. /Telegrafi/