Ish-mesfushori i Romës dhe Interit, Radja Nainggolan ka folur për ish-trajnerin e tij, Antonio Conte, për të cilin ka treguar se e donte disa herë në skuadër, por sipas tij nuk i tha gjërat në fytyrë.
33-vjeçari iu bashkua Royal Antëerp në verë, pasi kaloi pothuajse të gjithë karrierën e tij si lojtar në Itali.
Ish-reprezentuesi belg ka luajtur për Piacenza, Cagliari, Roma dhe Inter dhe gjithmonë ka refuzuar ofertat për t’u transferuar jashtë vendit gjatë kulmit të karrierës së tij.
Antonio Conte ishte njëri nga ata që donte ta çonte në Ligën Premier në të kaluarën, dhe trajneri aktual i Tottenham Hotspur foli me Nainggolan kur ai ishte në krye të Chelseat, por nuk arriti ta bindë atë të largohej nga Roma.
“Conte më donte në vitin 2016, ai erdhi në Romë për të biseduar me mua”, ka thënë fillimisht Nainggolan për gazetën La Repubblica.
“Ai më tha se çfarë donte nga unë. Ai tashmë dëshironte të nënshkruante me Romelu Lukakun. Megjithatë, Chelsea nuk menduan se unë fitoja shumë. Më ofruan të njëjtën pagë dhe nuk mjaftoi të largohesha nga Roma”.
Nainggolan përfundimisht punoi me Conten te Interi, por gjërat nuk shkuan sipas planit.
“Conte është një trajner i mirë, por unë nuk pata shanse me të. Ne kurrë nuk u grindëm, por ishte dikush tjetër që më thoshte se duhej të largohesh”.
“Unë preferoj njerëzit që më thonë gjëra në fytyrë”, përfundoi mesfushori belg. /Telegrafi/