Site icon Telegrafi

Nagavci: Thaçi të mos bëjë presion me letra të njëpasnjëshme, zgjidhja më e mirë janë zgjedhjet

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, në një intervistë për “Përballje ditore” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com, ka folur për situatën politike në kohën e pandemisë së COVID-19.

Nagavci, që është nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, ka folur edhe për letërkëmbimet mes kryetarit të partisë së saj, Albin Kurti dhe presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

Ajo ka deklaruar se LVV do t’i kthejë përgjigje shpejt edhe në kohën më të përshtatshme presidentit të vendit, teksa ka theksuar se zgjidhja më e mirë është që vendi të shkojë në zgjedhje.

 

“Duke parë deklaratat e LDK-së, pra ata jo se janë të gatshëm për të marrë qeverisjen për të mos lënë vendin pa Qeveri, por ata po vazhdojnë planin të cilin e kanë dizajnuar bashkë me presidentin Thaçi. Plani është që LDK të vjen në pushtet bashkë me AAK-në e të tjerët, përmes një skenari që është shumë absurditet në vete, sepse LDK u thirr në ruajtjen e raporteve me SHBA-në, derisa ishte vetë AAK e cila e kishte vendosur tarifën të cilën LDK kërkonte ta hiqte. Tani jemi në një situatë, ku tarifa veçse është hequr. Shpresoj në një disiplinim të përgjithshëm të qytetarëve e të kemi një situatë kur do t’i kthehemi normalitetit, dhe në këto rrethana sigurisht LVV do t’i kthejë përgjigjen presidentit, ne besojmë që zgjidhja më e mirë në këtë situatë janë zgjedhjet”, deklaroi ajo.

Nënkryetarja e LVV-së, Arbërie Nagavci gjatë intervistës për “Përballje ditore”, në Telegrafi.com

Nagavci gjatë intervistës tha se shpreson që presidenti të mos ndërmarrë ndonjë veprim antikushtetues.

“Presidenti të mos ndërmarrë veprime antikushtetues e të i jap dekretin ndonjë partie tjetër, sepse e ka obligim që këtë dekret t’ia dorëzojë LVV-së, në momentin që ne i kthejmë përgjigje. Zgjidhja më e mirë është të kthehemi të qytetarët”, pohoi ajo.

Ndër të tjera, nënkryetarja Nagavci tha se presidenti nuk duhet t’i bëjë presion LVV-së, me letra të njëpasnjëshme./Telegrafi/

Exit mobile version