Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, ka reaguar ndaj vendimit të LDK-së për të shkarkuar Vjosa Osmanin nga strukturat e partisë.
Nagavci ka thënë se nuk dëshiron të flet për çështjet e brendshme partiake, por që nuk mund të mos reagojë ndaj siç thotë ajo “mënyrës qyqare të sjelljes ndaj një gruaje”.
Nagavci që është edhe anëtare e kryesisë së VV-së, vlerëson se me shkarkimin e Vjosa Osmanit, LDK-ja po e prek fundin.
Ky është reagimi i saj i plotë:
Kanë prekur fundin, duket se s’mund të kthehen prapa.
Pasi tradhëtuan elektoratin e tyre, vodhën fitoren e VETËVENDOSJES!, u vunë në vijë pas Presidentit Thaçi bashkë me PDK, AAK, NISMA, Lista Serbe, krijuan një Qeveri jolegjitime, tani krerë të LDK-së paskan nisur një votim elektronik për të shkarkuar znj. Osmani nga pozita e saj si nënkryetare.
Nuk dua të flas për çështjet e brendshme partiake, as që po provoi të mendoj se si do të ishin reagimet po të ndodhte një rast i ngjajshëm në LV!, nuk po flas as për të drejtën e mendimit ndryshe, për domosdoshmërinë e ruajtjes së parimeve e premtimeve të dhëna. Por nuk mund të mos reagoj për mënyrën qyqare të sjelljes ndaj një gruaje, ndaj një politikane që në pozitën e saj si Kryetare e Kuvendit e si deputete e LDK-së nuk ka bërë asnjë shmangie nga premtimet elektorale, nga deklaratat publike, e besoj nga bindjet e saj se cila është më e mira për vendin.
Jam tash dhe më e bindur se znj. Osmani ka bërë gabim vetëm pse pranoi të bëhej Kandidate për Kryeministre pa u bërë Kryetare e Partisë, kështu i rriti kredibilitetin e pamerituar LDK-së, e u dha mundësi edhe të tjerëve që të keqpërdorin besimin që u kërkuan qytetarëve.
Krerë të LDK duket se kanë shkuar shumë thellë në lidhjet e tyre me kapësit e shtetit. Vota e sotme elektronike për të shkarkuar ose jo znj. Osmani nga pozita e saj si nënkryetare është mundësi për anëtarët me të drejtë vote të distancohen sa ndoshta kanë akoma dhe pak kohë për të treguar dinjitet e për të reflektuar. Rezultati i sotëm do të tregoi se sa janë gati anëtarët e KP të LDK-së të vendosin parimisht, racionalisht e të pavarur.
Vjosën dhe mund ta shkarkojnë nga pozita e nënkryetares, por legjitimitetin që i dhanë qytetarët nëpërmes saj LDK-së nuk mund t’ia japin Zt. Hoti. Ashtu si as legjitimitetin e Qeverisë Kurti, qeverisë jolegjitime. Këtu veç parime, arsye e argumente s’ka. Ka standarde të shumfishta që paradoksalisht do të kthjellojnë situatën.