Telegrafi

Nagavci: Selimi dhe të tjerët po gjykohen padrejtësisht nga Specialja, lufta e UÇK-së ishte e pastër

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci ka folur në emër të grupit parlamentar të LVV-së, duke thënë se shefi i grupit parlamentar të tyre është duke u gjykuar padrejtësisht nga Gjykata Speciale.

“Ai që është shefi i grupit parlamentar ndodhet në Gjykatën Speciale ku po përballet me padrejtësi speciale. Si gjykatë një etnike kjo gjykatë do të gjykojë vetëm krimet e pretenduara të kryera nga UÇK-ja”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka shtuar se Rexhep Selimi ishte ai që e bëri publike dhe e afirmoi UÇK-në, nuk u nda asnjëherë nga Jasharajt dhe nuk votoi asnjëherë në dëm të luftës së UÇK-së.

“Si Lëvizje ne jemi të bindur se UÇK ishte dhe mbetet përpjekje e drejtë për çlirim, dhe se lufta e saj ishte e pastër. E rëndë ishte dita e 5 nëntorit për të gjithë, lufta e drejtë për liri nuk mund të njolloset”, tha Nagavci.

Nagavci shtoi se drejtësia duhet të vihet në vend për secilin dhe se do të ri vuloset fakti se Serbia ka kryer krime e gjenocid në Kosovë.

“Padrejtësia e kësaj gjykate do të jetë e përkohshme. Dalshi faqebardhë edhe nga ky proces”, tha Nagavci. /Telegrafi/