Telegrafi

Nagavci premton se në Qeverinë Kurti çerdhet do të jenë pa pagesë

Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka thënë se edukimi parashkollor do të jetë në fokus të Qeverisë Kurti.

Nagavci, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se në programin e Vetëvendosjes parashihet që çdo fëmijë në Kosovë duhet të përfshihet në edukimin parashkollor.

“Çerdhet duhet të jenë pa pagës. Nga të dhënat e BE-së vetëm 9.7% e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në edukimin parashkollor. Kjo duhet të merr fund menjëherë”, tha ajo, përcjell Telegrafi.

Ish-drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës ka thënë se VV do të kujdeset që asnjë fëmijë në Kosovë të mos mbetet pa edukim të hershëm.

“Kjo mund të bëhet edhe në forma alternative. Ka objekte të shumta të pashfrytëzuar dhe ka mësimdhënës që mund të mbesin pa normë mësimore për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve. Ata me një rikualifikim mund të ndikojnë te edukimi parashkollorë”.

Lexo po ashtu Konjufca: Kemi bërë përvojë institucionale, jemi të gatshëm të udhëheqim me qeverisjen

Nagavci ka thënë se Vetëvendosje do të merr të gjitha masat që të mbështesë mësimdhënësit duke larguar ndikimet partiake në shkolla.

Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se në Qeverisjen Kurti nuk do të ketë persona në administratë që u shërbejnë vetëm atyre që i kanë punësuar./Telegrafi/