Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka thënë sot se tani më nuk ka dhe shumë kohë, ndërsa brenda 15 ditëve mandatari për kryeministër Albin Kurti duhet të paraqes përbërjen e Qeverisë para Kuvendit.
Nagavci në një postim në rrjetin social Facebook ka thënë se nuk mund të pritet në pafundësi dhe nuk mund të rrezikohet miratimi i buxhetit.
Lexoni të plotë postimin e Nagavcit:
“Albin Kurti, personi më i votuar në zgjedhjet parlamentare, është i mandatuari për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Sot dërguam dhe formalisht propozimin e LV! si fituese e zgjedhjeve.
Tani më nuk ka dhe shumë kohë, 15 ditë nga nesër Albin Kurti duhet të paraqes përbërjen e Qeverisë para Kuvendit.
Nuk mund të presim në pafundësi, nuk mund të rrezikojmë miratimin e buxhetit e krijimin e situatave të vështira financiare në qindra mijëra familje e as të bllokojmë krijimin e institucioneve.
Ne po bëjmë hapa përpara në jetësimin e vullnetit të qytetarëve të shprehur më 6 tetor, po angazhohemi për krijimin e një Qeverie që do të luftojë krimin e korrupsionin, që do të punoj shumë për zhvillimin ekonomik e përmirësimin e jetës së qytetarëve, për mundësitë e reja e hapjen e perspektivave për të rinjtë tanë.
Kemi besuar se në këtë rrugëtim do të jemi bashkë me LDK-në, në realizimin e programit për të cilin jemi pajtuar tashmë, andaj jemi angazhuar e do të punojmë edhe ditëve në vijim që kjo të arrihet.
Nuk mund të kthehemi në të kaluarën, në rrugën përpara duhet ulur në tavolinën e bisedimeve deri në arritjen e marrëveshjes, votimin e Qeverisë Kurti dhe fillimin e punës.
Bashkë me LDK-në duhet të përmbushim shpresat për ndryshim. Kjo është mundësia e fundit për të jetësuar vullnetin e qytetarëve, për t’u shkëputur përfundimisht nga qeverisjet e papërgjegjshme që shkaktuan largimin e qindra mijëra qytetarëve rrugëve të botës.
Skenarët që pengojnë realizimin e vullnetit të qytetarëve nuk mund dhe nuk duhet të ngadhnjejnë mbi zërat racional që duhet t’i dëgjojmë këto ditë. Është koha që premtimet t’i bëjmë realitet, që besimin që na e kanë dhënë, ta kthejmë në votimin e Qeverisë së ndryshimit.
Qytetarët kanë folur me 6 tetor, të zgjedhurit e tyre do të flasin pas dy jave, me shpresën që do të përmbushin besimin e dhënë”. /Telegrafi/