Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka thënë se dikasteri që ajo drejton nuk është i kënaqur me zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues në Universitetin e Prishtinës.
Në një konferencë për media të mbajtur sot, ajo ka deklaruar se lakmia e disa individëve për të dominuar mbi këtë këshill ka prodhuar marrëveshje joparimore.
E sipas saj, pjesë e këtyre marrëveshjeve është edhe menaxhmenti i lartë i universitetit.
Zgjedhjet e fundit për anëtar të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës riprodhuan një situatë të vjetër. Lakmia e individëve për të dominuar mbi Këshillin Drejtues prodhoi marrëveshje joparimore brenda Senatit akademik pjesë e së cilave janë menaxhmenti i lartë i UP-së, përfaqësuesit e stafit akademik dhe përfaqësuesit e studentëve”.
“E gjithë kjo reflektoi me një përfaqësim në Këshillin Drejtues me të cilin nuk mund të jemi të kënaqur si ministri. Nuk u përfill as veprimtaria akademike, as reputacioni apo angazhimi shoqëror i individëve, por vetëm interesat personale të grupeve të ngushta”, ka thënë Ngavaci para mediave.
Ajo ka theksuar se në mesin e pesë anëtarëve të zgjedhur nuk është asnjë grua, edhe përkundër faktit se mbi 60 për qind e stafit të rregullt akademik janë gra.
Më tej, Nagavci ka shtuar se MASHTI distancohet krejtësisht nga ky proces zgjedhor dhe siguron opinionin se nuk ka bërë asnjë lloj ndikimi për asnjë nga kandidatët që kanë garuar për anëtarë të Këshillit Drejtues.
“Aludimet se kemi ushtruar ndikim përmes një organizate studentore janë të papërgjegjshme dhe nuk kanë asnjë bazë. Isha shumë e qartë në shprehjen e qëndrimit tim në raport me rolin e përfaqësuesve studentorë, të gjithëve pa përjashtim, në këtë proces zgjedhor”, është shprehur ajo. /Telegrafi/