Site icon Telegrafi

Nagavci: Dëshira për arritje të shpejtë të marrëveshjes nuk mund të jetë arsye për ta humbur durimin

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci duke folur për procesin e bisedimeve me Lidhjen Demokratike të Kosovës për marrëveshjen për bashkëqeverisje ka kërkuar durim, duke thënë se në momentet e rëndësishme, përkundër tensionit e presionit, e madje pikërisht për këtë, vendimet duhet të jenë të matura mirë, të kujdesshme e të drejta.

Nagavci tha se dëshira për zgjidhje të shpejta e arritje të marrëveshjes, sado e kuptueshme, nuk mund të jetë arsyeja për të humbur durimin.

Lexoni të plotë postimin e Nagavcit:

Interesimi i opinionit dhe vëmendja për çështjet që janë me interes të përgjithshëm është i natyrshëm dhe i pritshëm.

Pa marrë parasysh se cilat janë motivet e interesimit, është legjitime e drejta për të ditur. Por nuk duhet harruar se shpesh herë ndalimi për të sqaruar gjithçka, mund të na pengoj për të arritur qëllimin final.

Andaj dhe duhet durim e angazhim për të arritur te caku.

Në Kryesinë e LV! i kemi deleguar detyrën e zhvillimit të bisedimeve grupit punues deri në gjetjen e zgjidhjes më të mirë për vendit, sipas vullnetit të shprehur nga qytetarët. Andaj dhe me besimin e plotë tek Kryetari Kurti dhe kolegët tanë ftoj për durim.

Në momentet e rëndësishme, përkundër tensionit e presionit, e madje pikërisht për këtë, vendimet duhet të jenë të matura mirë, të kujdesshme e të drejta.

Dëshira për zgjidhje të shpejta e arritje të marrëveshjes, sado e kuptueshme, nuk mund të jetë arsyeja për të humbur durimin.

Rruga përpara është e gjatë, ka momente zhgënjim e frikë, por vendimet e drejta na sigurojnë që shpresa për zhvillim, angazhimi për drejtësi e kohët e bukura, të jenë më të afërta e të zgjasin më shumë. /Telegrafi/

Exit mobile version