Telegrafi

Nagavci: Çështja e presidentit do të diskutohet pas zgjedhjeve

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci ka thënë se në LVV ende nuk ka ardhur ndonjë ftesë për tu ulur për të diskutuar për çështjen e presidentit.

Nagavci ka shtuar se kjo ndoshta ka ndodhur për shkak se LVV-ja e ka dhënë qëndrimin e saj sa i përket kësaj çështje.

“Çështja e presidentit duhet të diskutohet pas zgjedhjeve të reja, sepse çdo negocim paraprakisht është e qartë se është negocim për interesin e grupeve të ngushta klienteliste, krerëve të partive politike e jo në interes të vendit”, ka thënë Nagavci.

 

Ajo ka shtuar se një president/e i zgjedhur nga kjo legjislature nuk do të mund të përmbushte obligimin kushtetues si president/e unifikuese.

Nagavci ka shtuar se të gjitha partitë sa më herët që e kuptojnë që vendi duhet të shkojë sa më shpejt në zgjedhje aq më mirë.

Ajo sërish kërkoi rrëzimin e Qeverisë Hoti, duke thënë se vazhdimi i kësaj qeverie edhe një ditë më shumë është zhgënjim për qytetarët. /Telegrafi/