Federata e Futbollit të Kosovës ka paralajmëruar komunën e Prizrenit në rast të ndërhyrjes në klubin e Lirisë.
Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka reaguar ndaj letrës së FFK-së rreth klubit që është nën menaxhim të qytetit.
Në fakt, kryesia e klubit ka publikuar në letër të pranuar nga Federata e Futbollit duke i kërkuar krerëve komunalë që mos ta politizojnë ekipin dhe janë duke e monitoruar situatën.
Por, i pari i qytetit ka kërkuar që monitorohen financat e skuadrës pasi që më parë ka pas akuza dhe kundër-akuza mes kryesisë dhe ish-kryesisë së klubit rreth keqpërdorimit të fondeve që i ndan komuna për mbarëvajtjen e punëve në ekip.
Reagimi i plotë i Haskukës:
Lidhur me letrën e FFK-së për Lirinë…
Këto ditë nëpërmjet mediave u publikua një lajm me titull: “FFK-ja i çon letër kryetarit të Prizrenit”. Lajmi kishte të bëjë me një letër nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës drejtuar tek unë, në lidhje me klubin e futbollit Liria, me pretekst kinse të politizimit të klubit.
Sa për ta sqaruar opinionin publik, sot e kësaj dite një letër të tillë unë nuk e kam pranuar as nëpërmjet postës, e as nëpërmjet e-mailit zyrtar.
Zakonisht kur kemi lajme të mira në Prizren, interesimi i disa mediave qendrore është i mangët, por këto media nuk ngurojnë të plasojnë tituj tendenciozë që nuk e tregojnë të vërtetën dhe që janë të paverifikuara nga ana e Komunës.
Që nga dita e parë e marrjes së pushtetit, kemi pasur takime me kërkesë nga drejtuesit e klubit, qoftë ata nga kryesia e vjetër apo kryesia aktuale. Këto takime kanë qenë me qëllim të mbështetjes së klubit në aspektin financiar dhe kërkimit të llogaridhënies për paranë publike, ndërsa asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë diskutim rreth organizimit të brendshëm në klub.
Liria dihet që shumicën e buxhetit e ka të siguruar nga ana e Komunës dhe ne si Komunë e kemi për obligim që të kërkojmë llogari për paranë publike.
Federata e Futbollit mund të jetë e keqinformuar pasi është bazuar në shkrimet në media dhe nuk ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë me Komunën. Pretendimi i Federatës, kinse jemi duke bërë ndërhyrje të dhunshme në klub as që mund të konsiderohet.
Deri më tani është nisur vetëm një iniciativë nga anëtarët e Kuvendit Komunal, për formim të komisionit për monitorim dhe mbikëqyrje jo vetëm të klubit të Lirisë, por të të gjitha subjekteve përfituese nga kodi buxhetor “Politikat zhvillimore të kulturës, rinisë dhe sportit”. Dhe për formim të këtij komisioni do të vendoset nesër nga anëtarët e Kuvendit në mbledhjen e Kuvendit Komunal.
Pra, formimi i këtij komisioni nuk do të ketë për qëllim ndërhyrjen në klub në aspektin organizativ, por do të bëjë vetëm monitorimin e punës së subjekteve përfituese, me theks të veçantë menaxhimin financiar të tyre, dhe do t’i jep rekomandime Kuvendit se si duhet të veprohet tutje me këta përfitues në aspekt të mbështetjes.
Ne jemi të obliguar të kërkojmë llogari për paranë publike, prandaj edhe formimi i komisionit ka po këtë qëllim.
Ndryshe, Liria në sezonin e ri do të bëjë pjesë gara në Ligën e Parë pasi që nuk ka arritur të ruajë statusin e klubit të Superligës së Kosovës në futboll. /Telegrafi/