Reali Madridi po hedh sytë në tregun e transferimeve për një qendërmbrojtës që do të zëvendësonte Sergio Ramosin në rast se 29-vjeçari largohet për te Manchester Unitedi.
Nga Gjermania në Spanjë ka dalë në skenë emri i futbollistit shqiptar Shkodran Mustafi, aktualisht pjesë e Valencias në Primera Division. I pyetur për interesimin e mundshëm të Los Blancos, mbrojtësi i kombëtares gjermane u përgjigj:
“Në këto momente jam me pushime, por kush nuk do të lumturohej nëse dëgjon për interesimin e Realit. Kjo do të thotë që kam treguar një nivel të lartë gjatë sezonit të kaluar. Nuk ka lojtar që nuk do të gëzohej”.
Kujtim Mustafi, babai i futbollistit, konfirmoi se ka pasur kontakte nëpërmjet telefonit në lidhje më një transferim të mundshëm të Shkodranit te Reali, por asgjë më shumë, transmeton SuperSport.
23-vjeçari mbërriti te Valencia sezonin e kaluar për tetë milionë euro dhe firmosi një kontratë që është e vlefshme deri në vitin 2019 me një klauzolë largimi që kap shifrën e 50 milionë eurove.
Mirëpo Mustafi nuk është opsioni i vetëm për zëvendësimin e Sergio Ramosit. Edhe mbrojtësi i Manchester Cityt, Nicolás Otamendi, i cili është i grumbulluar me Argjentinën në Kupën e Amerikës, konsiderohet një alternativë shumë e mirë për qendërmbrojtjen e Realit.
Emra të tjerë të përmendur nga mediat janë Leonardo Bonucci, Laporte dhe Koscienly. Të gjithë këta emra do të bien poshtë nëse Ramos vendos të qëndrojë në Madrid.
https://www.youtube.com/watch?v=7o3PCIbTANU