Milani duket se ka filluar të mendojë për ndryshimet që do të ndodhin në afatin kalimtar të verës, duke filluar qysh nga trajneri e deri te banka rezervë.
Skuadra italiane është aktualisht në vendin e pestë me 62 pikë, tri më pak se Atalanta që është në të katërtin, ndërsa shpreson që ta fitojë një vend për në Ligën e Kampionëve.
Milani ka edhe dy xhiro deri në fund të sezonit 2018/2019 në Serie A, ku do të përballet me Frosinonen në San Siro, gjersa në të fundit do të udhëtojë te SPAL-i.
Nëse Rossonerët arrijnë ta sigurojnë një vend në garën më të madhe në Evropë për klube, atëherë sipas mediave në Itali, Shkodran Mustafi do të jetë transferimi i tyre i parë.
Mbrojtësi shqiptar me pasaportë gjermane do të largohet nga Arsenali në afatin kalimtar veror, pasi Unai Emery nuk llogarit më në shërbimet e tij.
Drejtori i Milanit, Ivan Gazidis, e dëshiron transferimin e Mustafit nga skuadra londineze, mirëpo duhet paguar rreth 30 milionë euro për ta marrë atë në San Siro. /Telegrafi/