Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar kryeministrin Albin Kurti për zgjedhjen e tij dhe të kabinetit qeveritar.
Mustafa ka thënë se kanë ecur ngadalë, por që ia kanë arritur cakut dhe se Kosova kompletoi të gjitha institucionet e saj, transmeton Telegrafi.
“Uroj Kryeministrin Albin Kurti për zgjedhjen e tij dhe të kabinetit qeveritar.
Ecëm ngadal, me vështirësi, por arritëm në cak. Kosova sot kompletoi të gjitha institucionet e saj.
Pritjet janë të mëdha, ashtu sikurse edhe premtimet, por Qeverisë duhet dhënë hapësirë të punojë normalisht. Nuk e ka leht!“, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës me 66 vota për dhe 10 abstenime e votoi Qeverinë e Re të Republikës të udhëhequr nga Albin Kurti.
Të pranishëm në seancë ishin 76 deputetë, kurse para votimit, seancën e kanë braktisur deputetët e PDK-së dhe AAK-së.
Pas votimit, kabineti qeveritar ka bërë betimin solemn.
Qeveria Kurti e votuar tashmë në Kuvendin e Kosovës ka dy zëvendëskryeministra, 15 ministra dhe 33 zëvendësministra. /Telegrafi/