Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar për ngjarjet e sotme, rastin e vrasjes së trefishtë në Prishtinë dhe shembjen e Hotel Adriatikut në Mitrovicë.
Mustafa, përmes një komunikate, ka thënë se është tronditur nga lajmi për vrasjen e trefishtë që ka ndodhur sot në lagjen Dardania në Prishtinë.
“Ngushëllime të gjithë familjarëve dhe miqve për vdekjen e tre anëtarëve të familjes”, ka thënë Mustafa, përcjell Telegrafi.
“Poashtu, më ka tronditur lajmi për shembjen e një pjese të Hotel Adriatikut, një ndër objektet më të vjetra në qytetin e Mitrovicës, me ç’rast një djalë i ri ka mbetur nën gërmadha”.
“Nga informatat që kemi nga Mitrovica, po bëhet një angazhim i madh i të gjithë qytetarëve që ai të gjendet sa më parë. Lutemi që organet të bëjnë të pamundurën për ta shpëtuar jetën e tij. Me këtë rast bashkëndjejmë me gjithë familjarët dhe miqtë e tij”.
Mustafa ka kërkuar përgjegjësi dhe vigjilencë nga organet e rendit për vrasjet e shpeshtuara dhe nga mbikëqyrësit dhe inspektoratet e ndërtimit për të garantuar sigurinë e ndërtesave.
“Rastet e tilla na rëndojnë si shoqëri dhe lutemi që të mos përsëriten më”, ka thënë kreu i LDK-së. /Telegrafi/