Site icon Telegrafi

Mustafa tregon pikëpamjet e LDK-së në lidhje me Trustin: Të lejohet tërheqja e parave, Qeveria t’i kthejë më vonë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka treguar këndvështrimin e kësaj partie në lidhje me një tjetër tërheqje të mundshme të mjeteve nga Trusti.

Mustafa në RTV Dukagjini ka thënë se nuk ka mbetur asnjë opsion që mund t’iu ndihmohet qytetarëve në këtë kohë krize pos lejimi i tërheqjes së mjeteve nga trusti.

“Pasi që Qeveria deri më tani nuk ka marrë asnjë masë në lidhje me ngritjen e çmimeve të energjisë elektrike, ngritjen e çmimeve të derivateve dhe ngritjen e çmimeve të artikujve bazikë, nuk ka mbetur asnjë opsion pos që të lejohet edhe një tjetër tërheqje e mjeteve nga Trusti”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Mustafa thotë se Qeveria sa më parë duhet t’i përcaktoj pikat në lidhje me mjetet e trustit në mënyrë që të zbutet situata socio-ekonomike.

“I takon Qeverisë të përcaktojë sa është përqindja që do t’iu lejohet qytetarëve të tërheqin mjete. Kjo varet nga likuiditeti që ka Trusti dhe projeksionet buxhetore. E dyta, qeveria duhet të garantojë që këto mjete do të rimbursohen më vonë”.

Lexo po ashtu Pyper: 79% e të anketuarve janë pro tërheqjes së kursimeve pensionale nga Trusti

Deputeti i LDK-së me këtë rast iu ka bërë thirrje votuesve të LVV-së që të bëjnë presion të deputetët e tyre në mënyrë që ligji mund të kalojë në Kuvend.

“Pa votat e Vetëvendosjes një ligj i tillë nuk mund të kalojë në Kuvend. Ju bëj thirrje votuesve të LVV-së në veçanti të bëjnë presion te të zgjedhurit e tyre pasi LVV ka shumicën absolute”, tha ndër të tjera Mustafa./Telegrafi/

Exit mobile version