Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nuk është fare i interesuar kush po ka qejf të bëhet President i ri i vendit. Derisa Ramush Haradinaj po vetofrohet për shef të shtetit, e Vjosa Osmani është ushtruese e detyrës së Presidentit, Mustafa e ka fokusin krejt diku tjetër
Mustafa ka deklaruar se momentalisht është e rëndësishme mbështetja ndaj atyre që po ballafaqohen me procesin e Gjykatës Speciale.
Mustafa thotë se duhet bërë një plaftormë për të prezantuar para opinionit ndërkombëtar luftën e pastër të UÇK’së dhe për të rikujtuar krimet e Serbisë në Kosovë.
“Jam i gatshëm që në këtë kohë të bisedoj me të gjithë, se si të organizohemi e ti mbështesim njerëzit tanë që po ballafaqohen me procesin e Gjykatës Speciale, të kujdesemi për mbrojtjen e tyre, sepse ata tani janë vetëm të dyshuar ndërkaq vetëm procesi gjyqësor mund të vërtetojë fajësinë e tyre, të bëjmë një platformë për të prezantuar para opinionit ndërkombëtar dhe rikujtuar luftën e pastër të UÇK-së dhe krimet e kryera serbe në Kosovë”, ka deklaruar Mustafa, për Express.
I pyetur për deklaratat e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se nëse nuk bëhet ai President, duhet të shkohet në zgjedhje, Mustafa thotë se nuk është aspak i brengosur se kush ka qejf të bëhet President i vendit.
“Fare nuk jam aktualisht i brengosur se kush ka qejf të bëhet President i Kosovës apo të lozë rolin e Presidentit. Jam i brengosur për situatën e rëndë dhe të trishtë në të cilën ndodhemi dhe për nevojën që të bëhemi bashkë në interes të vendit”, ka thënë Mustafa.
I pari i LDK-së ka deklaruar se ka biseduar në telefon me kryetarin e ri të PDK’së, Enver Hoxhajn.
Ai thotë se me Hoxhajn nuk kanë biseduar për postin e Presidentit.
“Nuk jam takuar me z. Enver Hoxhaj. Kam biseduar në telefon me te për situatën e krijuar. Nuk kemi biseduar për President dhe as për qeverisje”, ka deklaruar Mustafa.
Të enjten e kaluar, Presidenti Hashim Thaçi dha dorëheqje duke u larguar për në Hagë ku do të përballet me akuzat për krime lufte nga Gjykata Speciale. Atje shkoi edhe Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.
Ndërkohë, në Kosovë, ushtruese e detyrës së Presidentes është bërë Vjosa Osmani, një përkrahëse e Kurtit, e cila ka favorizuar qëndrimet e Vetëvendosjes prej se është prishur koalicioni LDK-VV.
Në këtë situatë, Ramush Haradinaj, në çdo paraqitje publike, po vetofrohet për pozitën e presidentit dhe po kërcënon se nëse nuk bëhet Shef i Shtetit vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.
Isa Mustafa, ditë më parë, nuk kishte mohuar mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja nëse nuk merren vesh për emrin e Presidentit. Madje, kishte thënë se bazuar në fuqinë politike, PDK’së mund t’i takojë Presidenti pasi LDK ka kryeministrin ndërsa Vetëvendosje e ka Kryetarin e Parlamentit.
Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, nuk dihet nëse do të provokojë mundësinë që ta çojë vendin në zgjedhje ashtu siç kishte kërkuar vazhdimisht prej kohës kur Albin Kurti u shkarkua nga pozita e Kryeministrit.
Osmani mund të mbajë vetëm gjashtë muaj pozitën e Shefes së Shtetit, kohë kjo kur duhet të përfundojnë procedurat e votimit të Presidentit të ri.