Telegrafi

Mustafa: Do të intensifikojmë takimet që të përcaktojmë përgjegjësitë tona në qeverisjen e ardhshme

Pas përfundimit të takimit ndërmjet përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se në ky takim ka qenë konstruktiv dhe se ia ka uruar Kurtit fitoren.

“Patëm një takim shumë konkret dhe përmbajtësor. Ia urova zotit Kurti fitoren dhe radhitjen e LVV-së si parti e parë në këto zgjedhje, si dhe besimin se edhe LVV edhe LDK e ka marrë nga qytetarët e Kosovës, si besim për ndryshimet e domosdoshme që do të ndodhin në qeverisjen e ardhshme në përmirësimin e jetës ekonomike, sociale dhe jetës së përgjithshme në përforcimin e shtetit ligjor”, ka thënë ai, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Kurti pas takimit: Ditët në vazhdim do të lidhim koalicionin qeverisës me LDK-në

Mustafa ndër të tjera ka thënë se ka vullnet nga dy palët që të intensifikojnë takimet në mënyrë që ta formojnë sa më parë qeverinë.

“Ne konstatuam bashkërisht se ajo çfarë është punuar nga grupet punuese në harmonizimin e programit qeverisës, thuajse është përfunduar. Mbetet që edhe nesër të definohet përfundimisht. Ne shohim vullnet nga dy palët të vazhdojmë intensivisht që këto ditë të mbajmë kontakte të rregullta dhe të përcaktojmë përgjegjësitë tona në qeverisje e ardhshme, në mënyrë që qeverisja e ardhshme të jetë në interes të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai./Telegrafi/