Telegrafi

Mustafa shpërfill vendimet e paraardhësit të tij (Video)

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nuk po i përfill fare vendimet e qeverisë së kaluar.

Ish-qeveria e udhëhequr nga Hashim Thaçi kishte vendosur që të hiqte dorë nga fitimet prej procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore. Megjithëse ishte kritikuar si veprim elektoral, kjo u bë me qëllim që të shlyhej borxhi prej 30 milionë eurosh ndaj ish-punëtorëve të fabrikës së tubave nga Ferizaj.

Kryeministri i ri, Mustafa, ka thënë se as qeveria e as AKP-ja nuk kanë mjete të mjaftueshme për ta mbuluar këtë shumë, raporton KTV.

Deklarata e Mustafës bie ndesh me deklaratën e para një muaji të dhënë prej zëdhënësit të Qeverisë, Arban Abrashi. Ky i fundit kishte thënë se shumë shpejt Qeveria do t’i dërgojë në Kuvend emrat e anëtarëve të bordit të AKP-së, në mënyrë që të kryhet kjo pagesë.

Anëtari i AKP-së, njëherësh kryetar i BSPK-së, Haxhi Arifi, nuk dëshiron ta komentojë deklaratën e Mustafës, derisa thotë se AKP-ja i ka në dispozicion vetëm 3.2 milionë, sa ka kushtuar shitja e fabrikës, transmeton koha.net.

AKP-ja përsërit se me kompletimin e Bordit do të diskutojnë për pagesën e punëtorëve të Fabrikës së Tubave. Ditë më parë, kryeministri Isa Mustafa tha se ekzekutivi nuk ka mjete nga Buxheti i Kosovës që t’i paguajë punëtorët e kësaj fabrike.

Ndërkaq, pas kësaj deklarate, grevistët paralajmëruan se do t’i bllokojnë dyert e Qeverisë dhe do të ankohen në Gjykatën e Strasburgut.