Telegrafi

Mustafa: Shëndeti publik prioritet i lartë i Qeverisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në vënien e gurthemelit të Institutit Rajonal të Shëndetësisë Publike në Ferizaj.

Mustafa e vlerësoi të rëndësishëm këtë investim, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë për shëndetin publik.

“Kam nderin që të marr pjesë sot këtu në vënien e këtij gurthemeli, i cili është i fundit që vihet tek ndërtimi i Qendrave Rajonale të Shëndetit Publik, sepse është përmbyllur një cikël në të gjitha qendrat e tjera dhe është mirë që tani Ferizaj, në këtë ambient dhe pozicion kaq të mirë po e ndërton një qendër rajonale”, tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri Mustafa, më tej theksoi se në ditët e ardhshme do të vihet themeli edhe i Spitalit Rajonal në këtë komunë.

“Si Qeveri i kemi dhënë prioritet të lartë shëndetit publik dhe ky prioritet do të vihet në argumentim edhe në ditët e ardhshme kur do të vihet edhe themeli edhe i Spitalit Rajonal që do të ndërtohet këtu, meqenëse Ministria ka shpallur tenderin për të. Është një investim prej 9 milionëve, që do të bëhet në komunën e Ferizajt dhe që mendoj se do të jetë mjaft i rëndësishëm për qytetarët jo vetëm të Ferizajt, por të gjitha komunave, fshatrave e lokaliteteve tjera të cilat gravitojnë këtu”, theksoi kryeministri Mustafa.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani shprehu kënaqësinë për realizimin e këtij projekti, duke theksuar rëndësinë që ka ky institut për qytetarët ferizajas.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, tha se kjo ditë është e shumëpritur për shëndetësinë e Ferizajt dhe të gjithë Kosovës, meqë tashmë po kompletohet një rrjet i rëndësishëm në mbulimin e aktiviteteve të shëndetësisë publike dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe jongjitëse, që në këto treva kanë marrë shumë jetë në të kaluarën dhe të tashmen.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, tha se ngritja e këtij instituti për qytetarët e Ferizajt është një emocion i veçantë, i cili do të zgjidhë problemin e komplekseve të Instituteve të Shëndetit Publik dhe komplekseve spitalore në rajonin e Ferizajt.