Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i është përgjigjur liderit të LVV-së, Albin Kurti, i cili sot i ka dorëzuar një letër kreut të LDK-së, Isa Mustafa, ku përmes kësaj letre Kurti ka ftuar Lidhjen Demokratike të Kosovës që të garojnë me një listë të përbashkët, por pa kandidat për kryeministër.
Kurti në shkrimin e bërë në Facebook ka thënë se duhet garuar me listë të përbashkët, dhe se varësisht cili kandidat ai i LDK-së apo i VV-së merr më së shumti vota, ai të bëhet kryeministër.
Mustafa në përgjigjen që i ka kthyer Kurtit në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se LDK-ja është e hapur që marrëveshja të lidhet, nën drejtimin e kandidates së tyre për kryeministre, Vjosa Osmani.
Mustafa ka thënë se propozimi i Kurtit shpie, nga gara me të tjerët, në garë ndëmjet dy partive, ndërsa kjo sipas tij do të dëmtonte seriozisht interesin e përbashkët.
Postimi i plotë:
Letër drejtuar Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Z. Albin Kurti
I nderuari Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti
Gjatë muajve, javëve dhe ditëve të fundit, LDK-ja ka punuar shumë dhe hapur, për të arritur një marrëvveshje bashkëpunimi me VV-në, me qëllim që të lidhim koalicion parazgjedhor dhe për të garuar së bashku më 6 tetor.
LDK-ja me kohë e ka bërë të ditur se njeh dhe e vlerëson pritshmërinë e qyetarëve të Kosovës për këtë bashkëpunim.
LDK-ja është e hapur që marrëveshja të lidhet, nën drejtimin e kandidites sonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani.
Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e ka miratuar unanimisht kandidaturën e znj. Osmani, prandaj ajo e ka përkrahjen e plotë të LDK-së për të kryesuar listën si kandidate për kryeministre dhe për të fituar zgjedhjet.
LDK-ja është subjekti më i madh politik në Kosovë, ka besimin më të madh, ka përkrahjen më të madhe, prandaj edhe do ta udheheqë vendin.
Propozimi juaj shpie, nga gara me të tjerët, në garë ndëmjet nesh, ndërsa kjo do të dëmtonte seriozisht interesin e përbashkët.
Po ashtu, LDK-ja vlerëson se një listë pa një prijës të nominuar, është një listë pa krye dhe pa orientim të qartë.
LDK-ja shpreh gatishmërinë e plotë që të vijojë bashkëpunimin me VV-në, tani apo dhe pas zgjedhjeve dhe e konsideron atë si partner në kauzën për të shpëtuar vendin nga krimi, korrupsioni, zhvatja dhe për ta nxjerë vendin nga izolimi.
Me respekt, Isa Mustafa/Telegrafi/