Site icon Telegrafi

Mustafa: Reduktimet e rrymës po shkaktojnë humbje të mëdha te prodhuesit

Kryetari i Bordit të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Berat Mustafa ka thënë se reduktimet e shpeshta të rrymës po shkaktojnë humbje të mëdha në biznesin e tyre.

Mustafa në një intervistë për Telegrafin thekson se Qeveria e Kosovës duhet ta ketë në fokus prodhuesin, pasi sipas tij, është sektori që ka ndikim në zhvillimin e vendit.

“Ky është një shqetësim shumë i madh për prodhuesit dhe një pengesë që ndikon drejtpërdrejt në ndërprerjen e energjisë pa paralajmërim, pra këtu është esenca. Po të kemi një paralajmërim është një gjysmë dëmi, por nuk kemi mundur ta gjejmë me KEDS-in për njoftimin rreth ndërprerjes e rrymës. Posaçërisht në zonat industriale ku janë prodhuesit, pra ku janë linjat e ndara, edhe Qeveria duhet ta ketë një fokus prodhimin që ndikon në zhvillimin e vendit, duhet të trajtohet pak ndryshe”, thekson Mustafa.

Ai shton se nga këto reduktime, humbjet e prodhuesve janë shumë të mëdha.

“Humbjet janë shumë të mëdha, kështu kemi rritje të importeve. Tash edhe me mungesën e energjinë elektrike, kemi vakum në punë, pra vet ndërprerja e rifillimi i punës”, shtoi ai.

Lexo po ashtu Mustafa nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës: Qeveria ta rishikoj vendimin për ndalesën e eksporteve të produkteve esenciale, prodhuesit po rrezikohen në humbjen e tregut

Gjithashtu, Mustafa thotë se ndërprerjet e rrymës po shkaktojnë çrregullimin e programeve, duke ndikuar në procesin e punës.

“Prodhuesit tonë më nuk janë vetëm vendor, pra janë regjional edhe evropian, posedojnë teknologjinë më të lartë të mundshme, e punojnë me programe më të sofistikuara. Në qoftë se ndërpritet energjia elektrike, në moment, pa paralajmërim, sigurisht që bëhet çrregullimi i programeve, ku prodhuesit do të kenë një kosto shtesë për kthimin e tyre”, tha Mustafa.

Në fund, ai kërkon që të ketë së paku paralajmërim në momentin e ndaljes së rrymës.

“Kërkesa jonë si prodhues, pra si Klub i Prodhuesve, është që të kemi së paku paralajmërim. Nuk duhet të harrojmë që ta falënderojmë Qeverinë se e kemi rrymën më të lirë, kjo na ka bërë që si prodhues të jemi konkurrues”, përfundoi ai.

Murtezaj në këtë intervistë ka folur edhe për vendimin e Qeverisë së Kosovës që ndalon përkohësisht produktet esenciale, duke kërkuar që të anulohet, dhe për ndikimin e inflacionit në ekonominë vendore. /Telegrafi/

Exit mobile version