Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar pas kërcënimit që mori kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti.
Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka thënë se i është kujtuar koha kur është sulmuar shtëpia e tij, në vitin 2016.
“Mbrëmë u njoftuam se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës e ka rrethuar shtëpinë e Kryeministrit Kurti, pas një kërcënimi që i ishte bërë. Më erdhi keq! Më vonë u tha se ishte një kërcënim nga adresa Shit e Blej! Kjo ma kujtoi kohën kur, jo adresa shit e blej, por njerëzit e Albin Kurtit, Kryeministrit të tanishëm, në terrin e datës 26 shkurt 2016 sulmuan shtëpinë time, që isha Kryeministër i Kosovës, me bomba molotov”, shkruan Mustafa.
Tutje, Mustafa thotë se kur ka shkuar në shtëpi, bashkëshortja e tij i ka treguar për ngjarjen, teksa thekson se nuk ka pasur as njësi speciale as mbrojtje speciale.
“Kur arrita në shtëpi e pyeta shoqen time se si u ndjeve, a pate frikë, a të mbrojti policia. Ajo ma ktheu: po çfarë!! Policët mezi e shpëtuan kryet e tyre, sepse e kapi flaka dhe tymi korridorin ku ata ishin të vendosur. Nuk kishte njësi speciale as mbrojtje speciale. Fati gruaja mbeti gjallë dhe policët që kujdeseshin për shtëpinë time nuk ishin lënduar. Kujtime të rënda”, shkruan ai.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka dhënë sot detaje pas raportimit në media për kërcënimin që i është bërë kryeministrit Albin Kurti.
Policia në një komunikatë për media thekson se hetimet janë duke vazhduar, ndërsa njofton Njësia e reagimit të shpejtë është larguar nga lokacioni.
“Policia e Kosovës, pas pranimit të informacioneve lidhur me kërcënimin ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Kurti, menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme operativo hetimore. Fillimisht Policia e Kosovës, ka shtuar masat e sigurisë personale të Kryeministrit përfshirë këtu mbrojtjen e afërt, por gjithashtu edhe ka dërguar njësi të reagimit të shpejtë nga Regjioni i Prishtinës të përberë nga dy zyrtarë policorë, në sigurim te shtëpia e banimit të Kryeministrit. Policia e Kosovës konfirmon se në këtë aktivitet nuk ka pasur të angazhuar asnjë zyrtarë të njësive speciale”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/