Telegrafi

Mustafa: Kosova ka nevojë për mbështetje financiare

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka pranuar se Kosova ka nevojë për paratë e Bashkimit Evropian.

Gjatë konferencës që po zhvillohet në Prizren për Zhvillim Socio-Ekonomik për Kosovën, Mustafa ka thënë se Kosova ka nevojë për një rol më të madh të BE-së dhe institucioneve financiare evropiane.

“Impakti financiar i këtyre institucioneve në ekonominë e vendit tonë është shumë i rëndësishëm, por vlerësojmë se akoma nuk është në nivelin që kemi nevojë”, ka thënë Mustafa.

Nga ana tjetër, drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Jan Eric Paquet, ka folur për migrimin e kosovarëve.

Ai tha se migrimi tregon që Kosova ka nevojë për kornizë të zhvillimit ekonomik dhe për hapjen e vendeve të reja të punës.

“Kjo është punë e më shumë se e një qeverie, që kërkon angazhim shumëvjeçar. Për këtë shkak ekziston nevoja e dialogut në mes të Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës. Më vjen mirë që ekonominë e keni vendosur në qendër të marrëdhënieve tona”, ka thënë Paquet. /KP/