Site icon Telegrafi

Mustafa fton bizneset bavareze të investojnë në Kosovë (Video)

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të vizitës në Landin e Bavarisë, ka marrë pjesë sot në një takim të organizuar në Munih nga Shoqata Ekonomike e Bavarisë, ku ishin të pranishëm përfaqësues të bizneseve bavareze.

Në takim ishin të pranishëm edhe ministrja e MTI-së, Hykmete Bajrami, ministri i MZHE-së, Blerand Stavileci, dhe ministri i MPMS-së, Arban Abrashi, të cilët prezantuan në detaje kushtet e favorshme, resurset ekonomike dhe mundësitë e mëdha që ofron Kosova për investime të huaja.

Bertram Brossardt, drejtues kryesor i Shoqatës Ekonomike të Bavarisë, foli për mundësitë e investimeve nga Bavaria në Kosovë, duke shprehur gatishmërinë e kësaj shoqate që të ndihmojë në këtë drejtim.

Mustafa, para të pranishmëve të shumtë, ka prezantuar një pasqyrë të shkurtër kushteve ekonomike në Kosovë. Ai vlerësoi investimet e konsiderueshme gjermane në Kosovë, duke bërë të ditur se Gjermania zë vendin e parë sa i përket investimeve dhe përkrahjes tepër të madhe për Kosovën, në të gjitha fazat.

Mustafa po ashtu theksoi se investimet gjermane kryesisht kanë qenë në sektorin bankar, duke bërë të ditur se tashmë është ndërtuar një sektor shumë i fuqishëm dhe shumë stabil, i cili gjithnjë e më tepër po i përshtatet nevojave të ekonomisë.

Sipas tij, përparësi e Kosovës është edhe pjesëmarrja shumë e ulët e borxhit të jashtëm në GDP, i cili nuk arrin as 10 për qind të bruto produktit vendor.

Mustafa bëri të ditur synimin e Qeverisë së Kosovës për investime në sektorin e prodhimit, në përpunimin dhe finalizimin e produkteve bujqësore. Ai po ashtu tha se Qeveria e Kosovës është e interesuar që të ketë investime në fushën e energjetikës, në fushën e minierave dhe mineraleve, në shfrytëzimin e tyre dhe finalizimin e tyre, dhe po ashtu edhe në konceptimin e mënyrës se si të zhvillohen këta sektorë, duke theksuar gatishmërinë për bashkëpunim me bizneset gjermane në këtë drejtim.

Duke folur për nënshkrimin e Marrë veshjes së Stabilizim Asociimit, kryeministri Mustafa e quajti shans të madh i cili do të bëjë që të ketë prezencë të produkteve kosovare në tërë tregun e BE-së.

Mustafa u takua në Munih edhe me diplomatin e shquar gjerman, Wolfgang Ischinger. /Telegrafi/

Exit mobile version