Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) në Kuvendin e Kosovës, njëherësh deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu e ka mirëpritur emërimin e drejtorit të ri të AKI-së, Petrit Ajeti.
Musliu në një prononcim për Telegrafin ka thënë se emërimi i Ajetit është lajm i mirë për Kosovën edhe pse siç tha ajo kanë kaluar të gjitha afatet ligjore.
Sipas saj, Kosova mbi pesë muaj vetëm për inate politike e personale mbeti pa drejtor të AKI-së, e cila siç deklaroi Musliu e ka vënë në rrezik Sigurinë Kombëtare.
“Emërimi i Drejtorit të AKI-së është lajm i mirë për Kosovën sepse siç e dini janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore. Thjesht për inate politike e personale mbi pesë muaj Kosova është pa drejtor të AKI-së dhe kjo e ka vënë në rrezik sigurinë kombëtar”, ka thënë për Telegrafin, kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së, Ganimete Musliu.
Ndërkaq, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, sot kanë emëruar Petrit Ajetin drejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI). /Telegrafi/