Telegrafi

Musk në mesin e ekspertëve që kërkojnë që trajnimi i sistemeve të AI-s të pezullohet për shkak të frikës së një kërcënimi për njerëzimin

Figura të larta në inteligjencën artificiale duan që trajnimi i sistemeve të fuqishme të AI-s të pezullohet mes frikës së një kërcënimi për njerëzimin.

Ata kanë nënshkruar një letër të hapur që paralajmëron për rreziqet e mundshme dhe thonë se gara për të zhvilluar sisteme të AI-s është jashtë kontrollit, transmeton Telegrafi.

Shefi i Twitter, Elon Musk është ndër ata që duan që trajnimi i sistemeve AI – mbi një kapacitet të caktuar – të ndalet për të paktën gjashtë muaj.

Bashkëthemeluesi i Apple, Steve Wozniak dhe disa studiues në DeepMind gjithashtu nënshkruan për thirrjen.

OpenAI, kompania që qëndron pas ChatGPT, lansoi kohët e fundit versionin GPT-4 – një teknologji më moderne, e cila ka impresionuar vëzhguesit me aftësinë e saj për të bërë detyra të tilla si përgjigjja e pyetjeve rreth objekteve në imazhe.

Në këtë letër të paraqitur nga Instituti Future of Life që u nënshkrua nga figura të larta bëhet thirrje që zhvillimi të ndalet përkohësisht, duke paralajmërua për rreziqet që mund të paraqesin sistemet më të avancuara në të ardhmen.

“Sistemet e AI-s me inteligjencë konkurruese njerëzore mund të paraqesin rreziqe të thella për shoqërinë dhe njerëzimin”, thuhet në letër.

Instituti Future of Life është një organizatë jofitimprurëse, e cila thotë se misioni i saj është “të drejtojë teknologjitë transformuese larg rreziqeve ekstreme, në shkallë të gjerë dhe drejt përfitimit të jetës”.

Musk, pronar i Twitter dhe shefi ekzekutiv i kompanisë së makinave Tesla, është këshilltar i jashtëm i organizatës. /Telegrafi/