Telegrafi

Mushkolaj: Kurti po përplaset me Amerikën për protagonizëm në dialog

Foto: Arkiv

Analisti Imer Mushkolaj ka komentuar zhvillimet e fundit në lidhje me raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mushkolaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, thotë se ata që i konsiderojnë si deklarata “jo të Amerikës”, deklaratat e Grenellit e kanë gabim.

“Kërkesa e SHBA-ve për taksën nuk është e lidhur direkt vetëm për taksën, po e mbajmë apo largojmë, por është një sprovë se si dëshirojmë t’i ndërtojmë raportet me SHBA-në në të ardhmen”.

Ai thotë se dëmi në raport me Amerikën tashmë është shkaktuar, përcjell Telegrafi.

“Nuk po flasim për ndonjë servilitet ndaj SHBA-së, por kemi të bëjmë me interesa të dy shteteve mike”.

Mushkolaj thotë se askush nuk garanton se Trump nuk do të fitojë përsëri në SHBA në zgjedhjet e nëntorit.

“Ky duhet parë si qëndrim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e jo qëndrim i Trump”.

Analisti thotë se Kurti nuk është treguar parimor me taksën pasi në fillim ka paralajmëruar vendosjen e reciprocitetit.

Ai megjithatë thotë se gjithçka lidhet me përpjekjet e Kurtit për protagonizëm në dialog.

“Ai ka dërguar shumë letra për t’iu treguar se ai është kryesori në dialog”.

Mushkolaj thotë se Kurti po kërkon të dijë formatin e dialogut apo dëshiron ndonjë format dialogu ku ai është pjesë në bazë të rolit kushtetues./Telegrafi/