Telegrafi

Mushkolaj flet për rolin e KMShK-së: Qytetarët interesohen kur iu bëhet e padrejtë nga mediat

Në serinë e tretë të “Përballje Podcast” është diskutuar për rolin dhe përgjegjësinë e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Media të Shkruara, Imer Mushkolaj thotë se nuk është se qytetarët e rëndomtë kanë informacion për këta trupa rregullues ose vetërregullues edhe në shtete tjera.

“Nuk po du me amnistu pse qytetarët nuk kanë informacione, por thjeshtë informacione zakonisht marrin kur ata konsiderojnë se atyre iu është bërë e padrejtë nga mediat, dhe atëherë fillojnë të interesohen se çfarë është Komisioni për Media, çfarë është Këshilli i Mediave të Shkruara, pra nuk janë institucione apo organizatë që është e shpërfaqur në kuptimin që secili qytetar duhet të dijë se ekziston”, ka deklaruar Mushkolaj.

Sipas tij, në Kosovë një pjesë e qytetarëve munden me ditë që mediat rregullohen dhe vetë-rregullohen.

Lexo po ashtu Analizë nga Imer Mushkolaj e Alban Zeneli për vetërregullimin e mediave online në Kosovë: Fokusi në Këshillin e Mediave të Shkruara

“Këto janë dy koncepte, te mediat që rregullohen, bëjnë pjesë radiot dhe televizionet, për shkak se ekziston një Komision i Pavarur për Media, dhe ato duhet të licencohen. Në anën tjetër, mediat e shkruara, mediat online, ato vetërregullohen. Ato përpiqen dhe bëhen bashkë duke u mundur të zgjedhin problemet bashkë, duke u bazuar në kodin etik”, ka deklaruar Mushkolaj.